Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë gjatë dekadës së ardhshme, me qëllim furnizimin me energji të programit të saj hapësinor hënor dhe të stacionit të përbashkët kërkimor ruso-kinez. Projekti vjen në një kohë kur fuqitë e mëdha botërore po intensifikojnë garën për eksplorimin e satelitit të vetëm natyror të Tokës.
Agjencia Hapësinore Ruse, Roscosmos, ka bërë të ditur se synon ndërtimin e një centrali elektrik hënor deri në vitin 2036. Për këtë qëllim, është nënshkruar edhe një kontratë me kompaninë hapësinore Asociacioni Lavochkin, e cila do të merret me realizimin teknik të projektit.
Rusia ka një histori të gjatë në eksplorimin e hapësirës që nga viti 1961, kur Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë. Megjithatë, në dekadat e fundit vendi ka mbetur pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimet hapësinore.
Ambiciet ruse në Hënë pësuan një goditje në gusht të vitit 2023, kur misioni pa pilot “Luna-25” u përplas në sipërfaqen hënore gjatë përpjekjes për t’u ulur. Ndërkohë, zhvillimet e shpejta në industrinë private të hapësirës, të udhëhequra nga kompani si SpaceX, kanë ndryshuar ndjeshëm balancat globale në këtë sektor.
Autoritetet ruse shprehen se ndërtimi i një centrali bërthamor në Hënë do të sigurojë energji të qëndrueshme për operacionet kërkimore afatgjata dhe do të forcojë praninë e Rusisë dhe Kinës në eksplorimin hënor, në një fazë të re të konkurrencës hapësinore ndërkombëtare.
