Ka dalë në dritë arsyeja e largimit të beftë të Erion Braçes nga drejtimi politik i Lushnjës. Sipas burimeve brenda Partisë Socialiste, Belinda Balluku, e cila është drejtuesja politike e qarkut Fier, dyshohet se e ka larguar Braçen për ta zëvendësuar me një nga njerëzit më të besuar të saj, ministrin e Financave, Petrit Malaj. Ky i fundit, edhe pse nuk është deputet, po përgatitet intensivisht për të hyrë në garën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke siguruar mbështetjen e hapur të Ballukut.
Lëvizja shihet si një goditje e fortë ndaj Braçes, i cili publikisht ka deklaruar se ende nuk e kupton arsyen e largimit të tij. Megjithatë, faktet flasin ndryshe: Balluku dhe Malaj janë parë së fundmi së bashku në disa takime elektorale të PS në Lushnjë, duke shfaqur një aleancë të qartë politike. Largimi i Braçes përflitet si një vendim strategjik i Ballukut për të konsoliduar kontrollin në qarkun e Fierit dhe për t’i dhënë hapësirë një prej njerëzve të saj më të afërt. Por kjo lëvizje ka shkaktuar përçarje të dukshme brenda Partisë Socialiste, duke nxjerrë në pah tensionet dhe intrigat që po përshkojnë formacionin qeverisës në prag të zgjedhjeve.
Në qarqet politike, largimi i Braçes komentohet si një “kokë turku” e servirur nga Balluku për të siguruar dominimin e saj në zonë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, intriga thellohet më tej me faktin se Malaj, i përzgjedhur nga Balluku, po shihet si figura që do të garantojë kontrollin elektoral në Lushnjë. Kështu që ndërsa Balluku e justifikon lëvizjen si një strategji për të forcuar fushatën elektorale, zërat kundërshtarë e cilësojnë këtë një prapaskenë të orkestruar për të eliminuar rivalët politikë brenda partisë. Situata pritet të marrë zhvillime të tjera dramatike teksa zgjedhjet afrohen, duke nxitur debat të ashpër brenda PS-së dhe më gjerë.
