Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 20 shkurt në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina.
Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, e cila kërkoi masën më të rëndë të sigurisë për dy të dyshuarit. Prokurori Albert Murçaj deklaroi se ndaj tyre ekzistojnë prova, përfshirë përgjime ambientale, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë sekret hetimor dhe që, sipas prokurorisë, përbëjnë bazë të fortë për dyshimet.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës Arbër Raja dhe Blerim Bazhdari kërkuan që ndaj dy shtetasve të mos caktohej asnjë masë sigurie, duke argumentuar se mungojnë prova konkrete që i lidhin drejtpërdrejt me vrasjen e të riut.
Gjatë seancës gjyqësore, si edhe më herët gjatë marrjes në pyetje nga policia, të dy të dyshuarit kanë mohuar autorësinë e krimit. Ata kanë deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e Pavlin Prekës, mohim që e kanë përsëritur edhe rreth 10 muaj pas ngjarjes.
Koçeku dhe Lisaj dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ata u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e Krimit”.
Dyshimet për motivin e krimit
Sipas burimeve hetimore, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë familjar, që lidhet me kërkesën e viktimës për fejesë me vajzën e Vasel Koçekut, e cila në atë kohë ka qenë e mitur. Hetimet tregojnë se kërkesa për fejesë ishte refuzuar nga familja e vajzës për shkak të moshës së saj.
Megjithatë, sipas prokurorisë, konflikti ka vijuar ndër vite, deri në ngjarjen e rëndë të 20 shkurtit. Sipas dyshimeve, mëngjesin e asaj dite, Klaudio Lisaj e ka nxjerrë viktimën nga banesa, ndërsa më pas Pavlin Preka dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga Vasel Koçeku.
Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Pas ngjarjes, familjarët e viktimës kanë deklaruar se i riu nuk kishte konflikte të njohura dhe jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.
Me vendim të gjyqtares Tefta Xhanari, gjykata vendosi lënien në paraburgim të dy të dyshuarve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të krimit vijojnë.
