Policia e Shkodrës dhe ajo e Velipojës kanë njoftuar arrestimin e një tjetër personi të përfshirë në përleshjet e ndodhura gjatë protestës së banorëve në Rrjoll, kundër ndërtimit të një resorti turistik nga firma “Gener 2”.
Sipas autoriteteve, në pranga është vënë shtetasi N.M., 51 vjeç, banues në fshatin Pulaj, i akuzuar për “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.
Ngjarja ka ndodhur më 28 shkurt 2026, në fshatin Rrjoll, ku banorë të zonës kanë organizuar protestë për të kundërshtuar punimet e nisura nga kompania ndërtuese. Gjatë përplasjes, sipas policisë, janë goditur punonjës të një kompanie private sigurie që ruante mjetet e firmës, ndërsa një prej tyre ka mbetur i dëmtuar rëndë. Po ashtu, janë shkatërruar edhe disa makineri të përdorura për punimet.
Një ditë më parë u raportuan 4 arrestime, 6 persona të proceduar penalisht dhe 15 të shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje.
Banorët e zonës pretendojnë se toka ku po ndërtohet resorti është pronë e tyre dhe se nuk janë kompensuar nga kompania private. Ndërkohë, policia thekson se hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në incident.
