Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, reagoi pas largimit nga detyra të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke e cilësuar këtë zhvillim si rezultat të presionit qytetar dhe protestave të opozitës.
Sipas Balliut, “largimi i Ilir Prodës nuk është një lëvizje administrative, por rezultat i drejtpërdrejtë i presionit qytetar, i protestave të opozitës dhe i denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike”. Ai shtoi se ky është një tregues se “pushteti i lidhur me krimin nuk është i paprekshëm”.
Megjithatë, deputeti demokrat theksoi se zëvendësimi i Prodës me Sokol Bizhgën nuk përbën reformë, por vazhdimësi të të njëjtit sistem. Sipas tij, emërimi i ri synon të garantojë vijimësinë e një modeli bashkëpunimi mes pushtetit politik dhe krimit.
Balliu akuzoi qeverinë se ka lejuar depërtimin e krimit të organizuar në strukturat shtetërore, duke e cilësuar situatën si “kapje të shtetit”. Ai deklaroi se problemi nuk qëndron vetëm te individët, por te sistemi që, sipas tij, i prodhon dhe i mbron.
Në përfundim, Balliu theksoi se Partia Demokratike do të vijojë përpjekjet për të rikthyer, sipas tij, sigurinë dhe besimin tek institucionet, duke e cilësuar largimin e Prodës si “vetëm fillimin” e një beteje më të gjerë politike.
