Është rënduar bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur më 3 mars në autostradën Naro–Camastra në Siçili të Italisë, ku humbën jetën dy shtetas shqiptarë.
Pas katër ditësh në gjendje kritike në spital, ka ndërruar jetë edhe shoferi i automjetit, 39-vjeçari Tili Pilinci, i cili po trajtohej në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Villa Sofia në Palermo.
Fillimisht në vendin e ngjarjes kishte humbur jetën 24-vjeçari Flori Topalli, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas mediave italiane, Pilinci u transportua fillimisht në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì dhe më pas u transferua në Palermo për trajtim më të specializuar, por plagët e rënda rezultuan fatale.
Në automjet ndodheshin pesë punëtorë shqiptarë, të cilët po udhëtonin drejt një ferme bujqësore ku punonin sezonalisht.
Të rinjtë, të moshës nga 24 deri në 39 vjeç, jetonin në zonat Canicattì dhe Naro dhe kishin mbërritur së fundmi në Itali për punë sezonale në bujqësi.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit që i mori jetën dy të rinjve shqiptarë.
