Rruga e fshatit turistik të Thethit në Shkodër rrezikon të bllokohet nga gurët e mëdhenj që bien çdo ditë në atë aks ndërsa është edhe rrezik për jetën e banorëve dhe turistëve të shumtë që shkojnë atje çdo ditë.
Që prej datës 8 mars të këtij viti kjo rrugë është pa mirëmbajtje për shkak se firmës nënkotraktore i ka mbatuar kontrata me ARRSH. Autoriteti rrugor ka nisur procedurat për kontratën e re por tenderi është apeluar. Drejtuesit e automjeteve shprehen se vitin e fundit ai aks rrugor si asnjëherë më parë është mbajtur i hapur. Ditët e fundit rruga e Thethit ka patur probleme nga reshjet e borës ndërsa aktualisht në shumë vende rrëshqitja e gurëve po kthehet në një rrezik serioz.
Turistët rrëshqitjen e gurëve dhe ngricat që ende vazhdojnë në atë aks në disa segmente i cilësojnë si të tmerrshme. “E tmerrshme kjo situatë në këtë rrugë për mua. Erdhëm këtu dhe ky aks nuk është aspak i mirë, me gurë në rrugë. Kishte edhe ngrica kur erdhëm ne dhe kemi humbur më shumë se dy orë sepse duhej kujdes. Rruga shumë e ngushtë dhe duke patur parasysh edhe gurët dhe ngricat, ishte një rrezik për ne. Kemi ecur shumë ngadalë”.
