Inxhinieri Romeo Nazarko ka ngritur alarmin për sigurinë e disa prej rrugëve dhe veprave infrastrukturore të ndërtuara vitet e fundit, duke i cilësuar ato si potencialisht të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Gjatë një emisioni televiziv, ai shpjegoi arsyet kryesore që, sipas tij, kanë çuar në dëmtimet serioze të rrugëve të reja dhe në problemet e shfaqura në tunelin e Llogarasë.
Sipas Nazarkos, faktori kryesor është mungesa e studimeve të plota gjeologjike, veçanërisht për ujërat nëntokësore. Ai theksoi se në shumë raste nuk është studiuar përbërja e dherave, formacionet sedimentare dhe qarkullimi i ujërave, elementë thelbësorë për ndërtimin e sigurt të rrugëve dhe tuneleve.
Nga verifikimet që ka kryer, Nazarko deklaroi se pothuajse në të gjitha akset problematike nuk është bërë studim gjeologjik, përfshirë Rrugën e Arbrit, tunelin e Llogarasë dhe aksin Qukës–Qafë Plloçë. Sipas tij, këto mangësi janë arsyeja kryesore e dëmtimeve të shpejta dhe rrjedhjes së ujërave në struktura betoni.
“Edhe rasti i tunelit të Llogarasë lidhet drejtpërdrejt me mungesën e studimit gjeologjik për ujërat nëntokësore. Këto ujëra dëmtojnë betonin dhe shkaktojnë degradim të strukturës. Nga sa është bërë publike, rezulton se ka probleme serioze edhe me armaturën”, u shpreh eksperti.
Nazarko tha se, në kushtet aktuale, ai personalisht nuk do të përdorte këto rrugë, duke i konsideruar të pasigurta, dhe do të zgjidhte akset e vjetra për udhëtim.
“Në situatat që shohim sot, këto rrugë nuk ofrojnë siguri. Uji rrjedh edhe gjatë reshjeve të zakonshme, jo vetëm në raste rrebeshesh. Kjo është shumë shqetësuese dhe përbën rrezik real për jetën e qytetarëve”, theksoi ai.
Në fund, eksperti bëri një krahasim mes fakteve teknike dhe problematikave të evidentuara në terren, duke nënvizuar se mungesa e studimeve gjeologjike dhe përdorimi jo i duhur i materialeve ndërtimore kanë sjellë pasoja të rënda. Sipas tij, situata e njëjtë është konstatuar edhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në segmente të tjera rrugore, ku dëmtimet janë shfaqur në një kohë shumë të shkurtër pas përfundimit të punimeve.
