Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi duhet të vijojë me ritme më të shpejta reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, Costa deklaroi se Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme të grup-kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Europian.
“Sot dua të vlerësoj dhe të përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Javën e kaluar u konfirmua ecuria e procesit dhe Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grup-kapitullin e parë”, u shpreh Costa.
Sipas tij, vendi hyn tashmë në një fazë të re të negociatave, e cila kërkon jo vetëm miratimin e reformave, por edhe zbatimin konkret të tyre dhe krijimin e një historiku të qëndrueshëm rezultatesh.
Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se ndërtimi i institucioneve demokratike, garantimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten elementë thelbësorë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Një sundim i fortë i ligjit dhe një sistem gjyqësor i pavarur e llogaridhënës janë themelet kryesore të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Costa dha gjithashtu një mesazh të qartë lidhur me sfidat që mbeten përpara, duke inkurajuar autoritetet shqiptare të intensifikojnë përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ju inkurajoj të përshpejtoni luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.
Vizita e Costas në Tiranë zhvillohet në kuadër të turit të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë përpara samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku procesi i zgjerimit dhe ecuria e vendeve kandidate pritet të jenë ndër temat kryesore të diskutimit.
