Tuneli i Llogarasë ka nisur të rrjedhë ujë që në reshjet e para të shiut, duke ngritur alarmin për sigurinë e qarkullimit dhe cilësinë e punimeve në një nga veprat infrastrukturore më të kushtueshme të viteve të fundit. Problemet teknike të shfaqura menjëherë pas hapjes së tunelit konsiderohen vetëm maja e ajsbergut të një skandali financiar dhe ligjor që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të vlerësuar rreth 50 milionë euro.
Përveç dyshimeve për fryrje fiktive të faturave dhe favorizim të kompanive të huaja, hetimi i SPAK ka nxjerrë në pah shkelje serioze në procesin e ndërtimit dhe administrimit fiskal të projektit, i cili ka një vlerë totale prej rreth 190 milionë eurosh.
Në fokus të hetimeve është vendosur edhe mënyra se si është trajtuar TVSH-ja për këtë vepër publike. Sipas të dhënave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lejuar kompaninë ndërtuese të operojë për rreth tre vite pa dokumentacion të vlefshëm ligjor, duke i njohur njëkohësisht të drejtën e kreditimit dhe rimbursimit të TVSH-së për mallra dhe shërbime të përdorura në ndërtimin e tunelit.
Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është i qartë: subjektet e ndërtimit mund të kreditojnë TVSH-në vetëm pasi të kenë marrë lejen e ndërtimit dhe të kenë regjistruar projektin pranë administratës tatimore. Në rastin e tunelit të Llogarasë, leja e ndërtimit rezulton të jetë bërë e vlefshme vetëm në maj të vitit 2025, në një kohë kur punimet kishin përfunduar dhe objekti ndodhej në prag të përurimit.
Përgjegjësia ligjore për kontrollin e aktivitetit të kompanisë dhe respektimin e procedurave bie mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se përgjegjës direkt për këto shkelje konsiderohen ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi, si dhe pasuesja e tij që nga korriku 2024, Elidjana Çelaj. Sipas këtyre burimeve, dyshja Klosi–Çelaj jo vetëm që ka lejuar ndërtimin e tunelit pa leje të vlefshme, por nuk ka kryer as verifikime për faktin se punimet nuk janë realizuar realisht nga kompania fituese e tenderit, por nga kompani të tjera shqiptare.
Ky qëndrim i administratës tatimore evidencon standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit. Nga njëra anë, Tatimet kanë vendosur gjoba të rënda ndaj bizneseve private, shpesh edhe jashtë afateve ligjore, ndërsa nga ana tjetër kanë shmangur kontrollet ndaj subjekteve të përfshira në vepra publike të financuara me para të taksapaguesve.
Si shembull përmendet rasti i “Prestige Resort”, ku është vendosur një gjobë prej 4 milionë eurosh tre vite pas shembjes së objektit, përtej çdo afati ligjor dhe pa pezulluar procedurat, pavarësisht proceseve gjyqësore në zhvillim.
Skandali i tunelit të Llogarasë, nga problemet teknike deri te shkeljet ligjore dhe fiskale, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe kontrollin institucional. Abuzimi me paratë e shtetit dhe besimin e qytetarëve kërkon transparencë të plotë, hetim të thelluar dhe përgjegjësi penale për çdo zyrtar apo subjekt që ka shkelur ligjin.
