Punimet në aksin rrugor Lozhan–Strelcë po vijojnë intensivisht që prej datës 28 janar, pas problematikës së shkaktuar nga rrëshqitja e një masivi shkëmbor. Lajmi është bërë i ditur nga Prefektura e Qarkut Korçë përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas autoriteteve, ndërhyrjet për thyerjen, stabilizimin dhe pastrimin e masivit shkëmbor po zhvillohen pa ndërprerje dhe po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse, në bashkëpunim me specialistë të kontraktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria Qendër-Lindje.
Prefektura bën me dije se procesi kërkon kohë dhe kujdes të shtuar për shkak të përbërjes dhe fortësisë së masivit shkëmbor, ndaj punimet po kryhen në kushte të kontrolluara teknike dhe me masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo rrezik për përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonës.
Autoritetet theksojnë se prioritet absolut mbetet garantimi i sigurisë, ndërsa situata në terren po ndiqet hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare të problematikës.
Në fund, qytetarëve u kërkohet mirëkuptim, respektim i sinjalistikës rrugore dhe masave të sigurisë, ndërsa institucionet përgjegjëse sigurojnë se do të informojnë në mënyrë transparente për çdo zhvillim të mëtejshëm.
