Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap duke shitur lëndë narkotike të llojit kokainë në zona të frekuentuara nga qytetarët, kryesisht pranë qendrave tregtare.
Operacioni i fundit u zhvillua në qytetin e Riminisë, ku objektiv i hetimeve ishte qendra tregtare “Le Befane”. Sipas autoriteteve, i dyshuari lëvizte shpesh me automjetin e tij në këtë zonë për të shpërndarë drogë.
Gjatë vëzhgimit, policia konstatoi se automjeti i shqiptarit ishte parkuar në ambientet e qendrës tregtare. Një i ri zbriti nga mjeti dhe iu afrua një makine tjetër, ku i dorëzoi shoferit një dozë kokaine. Menjëherë pas këtij veprimi, blerësi – një shtetas italian – u ndalua nga policia dhe pranoi se e kishte blerë lëndën narkotike nga i njëjti person, duke deklaruar se kjo praktikë ishte përsëritur çdo javë për rreth dy vite.
Pas ndalimit, policia ushtronte kontrolle fizike dhe në banesën e shqiptarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan 13 doza kokainë me peshë totale rreth 10 gramë, si dhe një shumë prej 4,600 eurosh cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
I arrestuari u gjykua me procedurë të përshpejtuar, pasi pranoi fajësinë. Gjykata vendosi dënimin me 8 muaj burg, i cili u konvertua në shërbim me kusht, si dhe një gjobë prej 2,000 eurosh. Po ashtu, u urdhërua konfiskimi i 4,000 eurove të sekuestruara.
