Situata në zonën e Currilave në Durrës mbetet shqetësuese edhe 24 orë pas rrëshqitjes së një pjese të kodrës, e cila detyroi evakuimin e banorëve të një pallati pranë vendit të ngjarjes.
Për të dytën ditë me radhë, 25 familje vijojnë të qëndrojnë larg banesave të tyre, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat se kur mund të rikthehen në apartamente. Ndërkohë, aktiviteti i bizneseve të prekura nga masat e dheut dhe pishat e rrëzuara mbetet i pezulluar.
Gjatë ditës së sotme, specialistët e Institutit të Ndërtimit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar pritet të rikthehen në terren për të marrë mostra dhe për të nisur studimin e detajuar gjeologjik dhe gjeoteknik të zonës.
Sipas Bashkisë së Durrësit, në terren do të punojnë paralelisht dy grupe ekspertësh. Njëri ekip do të vlerësojë gjendjen e objektit dhe dëmtimet e mundshme në strukturën e pallatit, ndërsa grupi tjetër do të kryejë analizat teknike dhe matjet e nevojshme për hartimin e akt-ekspertizës dhe projektit për stabilizimin e zonës së prekur.
Instituti i Ndërtimit ka ngritur gjithashtu një grup të posaçëm ekspertësh, i cili do të realizojë ekspertizën e plotë të godinës dhe do të përcaktojë nivelin e sigurisë për banim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se banorët nuk do të lejohen të rikthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e të gjitha verifikimeve teknike dhe marrjen e konfirmimit zyrtar se godina nuk paraqet rrezik.
Nga 40 apartamentet që ndodhen në pallat, 25 rezultojnë të banuara dhe familjet e tyre janë prekur drejtpërdrejt nga masat e sigurisë të ndërmarra pas rrëshqitjes së kodrës.
