Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat që po mbahen në Tiranë, duke deklaruar se ato pasqyrojnë një pakënaqësi të akumuluar të qytetarëve, por duke shprehur njëkohësisht shqetësim për atë që e cilësoi si tentativa për destabilizimin e vendit.
Në një intervistë televizive, Kuko u shpreh se Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar kanë mbajtur një qasje të kujdesshme ndaj protestave, ndërsa theksoi se zhvillimi i tyre dëshmon funksionimin e demokracisë dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Është akumuluar një pakënaqësi e qytetarëve që janë marrë peng nga thirrje për zhbërjen e shtetit. PS dhe grupi parlamentar kanë mbajtur një qëndrim të kujdesshëm. Fakti që kemi protesta të tilla tregon që demokracia është e suksesshme dhe qytetarët janë ndjerë të lirë të shprehin pakënaqësitë e tyre”, u shpreh ajo.
Deputetja socialiste ngriti shqetësimin edhe për përfshirjen, sipas saj, të aktorëve të ndryshëm në organizimin e protestave, duke përmendur ish-ushtarakë dhe ndikime që, sipas saj, mbështesin thirrje për shpërbërjen e shtetit.
Kuko theksoi se institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare dhe organet e drejtësisë duhet të vlerësojnë këto zhvillime.
“Kur dalin thirrje për zhbërjen e shtetit, lindin pikëpyetje serioze për stabilitetin institucional. Besoj se institucionet e sigurisë kombëtare dhe Prokuroria duhet të vlerësojnë situatën. Ka tentativa për destabilizimin e Shqipërisë”, deklaroi ajo.
