Aktivisti Erjon Murataj ka deklaruar se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka hapësirë për negociata me qeverinë.
Në një intervistë televizive, Murataj u shpreh se pjesëmarrja e diasporës i jep energji dhe mbështetje protestës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen tubimit të planifikuar në orën 19:00.
Ai deklaroi gjithashtu se, sipas qëndrimit të tij, drejtësia duhet të hetojë dhe të veprojë ndaj çdo zyrtari që dyshohet për shkelje të ligjit, duke përmendur mes tyre Ergys Agasi, Belinda Balluku, si edhe kryetarët e bashkive që, sipas tij, kanë abuzuar me fondet publike.
“Diaspora i jep shpresë shqiptarëve dhe energji protestës. Çdo qytetar duhet t’i bashkohet protestës. Kërkesa jonë është që drejtësia të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin”, u shpreh Murataj.
Ai shtoi se, sipas vendimit të grupit koordinues të protestës, kërkesa mbetet dorëheqja e kryeministrit Rama, ndërsa deklaroi se, sipas tij, edhe lideri i opozitës Sali Berisha duhet të largohet nga politika.
