Rithemelimi dhe Partia e Lirisë në udhëkryq, vula e PD drejt Lulzim Bashës, ja skenari i Sali Berishës për zgjedhjet e 2025

Data

Rithemelimi i Sali Berishës dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës duket se janë në udhëkryq. Pak javë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar 11 qershorin (ora 10:00) si datën kur do të rinisë sërish gjykimin e vulës dhe statutit të Partisë Demokratike që është kthyer në fushë beteje mes grupit të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Realtore është gjyqtarja Alma Ahmeti me pjesëtare të trupës gjykuese Iliba Bezati dhe Elona Toro që do të rishqyrtojnë në vijim, betejën e nisur në 2021-shin. Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural. Por duket dhe referuar edhe deklaratave të bërë nga analistë e juristë, Gjykata e Apelit pritet të vendosë në favor në Lulzim Bashës, i cili me shumë gjasa si kryetar legjitim i PD do të ketë në dorë me vendim gjykata edhe vulën dhe logon zyrtare të Partisë Demokratike. Kjo do të thotë se Sali Berisha dhe Rithemelim i tij dalin jashtë loje. Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate dhe me llogari të hapura me drejtësinë, Sali Berisha pritet të gjejë strehë tek PL e Ilir Metës, ku me shumë gjasa Rithemelimi si fraksion ilegal, do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të vitit 20225 nën logon e Partisë së Lirisë, njësoj siç bëri në zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit 2023. Megjithatë edhe Ilir Metën nuk është se e pret një e ardhme e ndritur, për shkak se edhe ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe shumë shpjet mund të bëhet subjekt i Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pra si Rithemelimi, ashtu edhe PL, pritet të përfshihen nga telashet dhe kaosi. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Zaptimi i selisë së PD

Por vendimi i Gjykatës së Apelit nëse do të jetë në favor të Lulzim Bashës do t’i japë edhe një goditje të fortë Sali Berishës së shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Kreu i partisë “fantazmë”, Sali Berisha i Rithemelimi duket se nuk do ta gëzojë dhe mbajë për shumë kohë selinë e Partisë Demorkatike, të cilën e ka zaptuar me dhunë qysh prej 8 janarit të vitit 2022, kohë kur ai urdhëroi “kamikazët” e tij për të sulmuar demokratët e ndershëm e të pafajshëm të ndodhur brenda godinës gjatë kohës së sulmit të paprecedentë dhe të pa parë ndonjëherë në Shqipëri e kudo në botë. Gazeta “SOT” ka mësuar se me dhënien e vulës dhe logos së PD ndaj Lulzim Bashës, ky i fundit do të nisë procedurat ligjore për marrjen e selive të Partisë Demorkatike në gjithë Shqipërinë, aty ku i ka zaptuar “Foltorja” e Berishës, e në veçanti atë qendroren në Tiranë (SHQUP). Mësohet se ekspertët ligjor të PD dhe me të drejtën që ua njeh ligji, po hartojnë kërkesat të cilat do t’iu dërgohen institucioneve ligjzbatuese, në mënyrë që ato të çojnë në vend të drejtën që u takon demokratëve për t’u rikthyer tek selitë e Partisë Demokratike, të cilat janë marrë peng nga Sali Berisha dhe lakenjtë e tij. Pra, me këtë lëvizje taktike, Basha, nxjerrë përfundimisht jashtë politike dhe hedh në rrugë të madhe “non-gratën” Berisha, i cili do të përfundojë tek zyrat (“çatia” e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, ndërkohë që do të mbahet mend në Shqipëri si njeriu që dhunoi demokratët për interesat e tij të ngushta familjare, të cilët e kishin bërë President, kryetar parti dhe Kryeministër. Pra siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore “po shkon haka tek i zoti”, referuar rikthimit të selisë blu tek PD zyrtare e Lulzim Bashës. Madje sikundër pohuan burimet nga brenda Partisë Demorkatike në rast se Berisha dhe çakejtë e tij nuk i binden urdhrit të gjykatës që i njeh të drejtën zotit Basha, policia pritet ta nxjerrë kreun e “Foltores” forcërisht nga godina e marrë peng prej më shumë se 1 viti e gjysëm.

Ja kujt grupimi i takon logo e PD-së

Nga ana tjetër, sa i takon debatit se kujt i takon vulë e PD, ka folur edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi, i cili në një media u shpreh se legjitimiteti i drejtimit të PD-së i takon grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha. Zekthi tha se grupimi i drejtuar nga Sali Berisha është në kundërshtim me çdo normë dhe ligj. “Shumicat nuk janë statike. Nëse mendoni se shumica është kjo, atëherë pse duhet të bëjmë zgjedhje? Mendoj se legjitimiteti i PD i përket Lulzim Bashës. Grupimit të Rithemelimit nuk i takon logo dhe vula e PD-së. Janë një grupim që u mblodhën në një stadium, që bënë sjellje bolshevike, që sulmuan selinë, që uzurpuan selinë e PD-së”, deklaroi Zekthi. Sipas tij, nëse në Shqipëri ka mbetur një fije drejtësie, atëherë vendimi i 11 qershorit duhet të jetë në favor të grupimit të Lulzim Bashës. “Pavarësisht gjithçkaje ne duhet të presim vendimin e Gjykatës dhe unë do e respektoj atë pavarësisht se çfarë do të vendoset”, nënvizoi Zekthi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related