Të dhënat e shqiptarëve të mbledhura për censin 2023 nuk janë ruajtur siç e kërkon ligji. Mjedisi i kontraktuar për grumbullimin e materialeve ka qenë një garazh me qira mujore 420 mijë lek dhe të dhënat e popullsisë kanë pasur risk të lartë keqpërdorimi. Ky është përfundimi që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas auditimit të kryer ndaj Institutit të Statistikave (INSTAT), ku në raport thuhet se skuadra e ngritur në këtë proces për sigurimin e një ambienti me qira për vendosjen e pajisjeve elektronike të cilat shërbejnë për mbledhjen e të dhënave të popullsisë dhe banesave ka rrezikuar në mënyrë të ndjeshme parimet e sigurisë së të dhënave sensitive si dhe konfidencialitetin e tyre. Instituti i Statistikave i kërkoi ministrisë së Mbrojtjes si fillim një hapësirë prej 650 m2 minumimi të ndarë në 3 dhoma, ku nënvizonte që ‘materialet është shumë e rëndësishme që të ruhen në kushte larg lagështirës, dëmtimit dhe aksesit të pa autorizuar dhe ruajtje fizike 24 orë”.
Mirëpo në mungesë të një vendi të tillë të lirë, INSTAT lidhi kontratë me një subjekt tregtar për një magazinë me qira që auditimi i KLSH e vlerëson si hapësirë të papërshtatshme; e cila është monitoruar nga ora 22:00-6:00 për 8 orë nga një roje fizike. “Nga auditimi i Projektit të Cens-it 2023 u konstatua se INSTAT ka detyrimin të marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në instalimet ku të dhënat personale të censit mbahen. INSTAT-i duhet t’i trajtojë të dhënat e mbledhura, të përpunuara e të ruajtura të censit si rreptësisht konfidenciale duke mos lejuar individët dhe njësitë e tjera statistikore të identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
