Marjana Koçeku për “de Volkskrant”: Protestat do të zgjerohen, BE-ja duhet të jetë më kritike ndaj qeverisë shqiptare

Data

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar se protestat qytetare në Shqipëri pritet të rriten më tej, ndërsa i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të mbajë një qëndrim më kritik ndaj qeverisë shqiptare.

Në një intervistë për gazetën holandeze “de Volkskrant”, Koçeku foli për largimin e saj nga Partia Socialiste, protestat që vijojnë prej 44 ditësh dhe nevojën për ndryshime në sistemin politik të vendit.

Ajo tha se vendimi për t’u larguar nga PS-ja erdhi pas një periudhe të gjatë pakënaqësie, veçanërisht për çështjet që lidhen me mjedisin, ekologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas Koçekut, shqetësimet e saj për ndotjen e lumit Drin dhe probleme të tjera mjedisore nuk u morën parasysh nga drejtuesit e partisë. Ajo deklaroi se momenti vendimtar ishte kur kuptoi se duhej të mbështeste politika që, sipas saj, dëmtonin mjedisin.

Duke komentuar protestat, deputetja u shpreh se ato do të vazhdojnë të zgjerohen, pasi klasa politike ka humbur kontaktin me problemet e përditshme të qytetarëve.

“Protestuesit po kërkojnë me të drejtë ndryshim. Këto protesta lidhen me sundimin e ligjit, demokracinë e vërtetë dhe refuzimin për ta lejuar plaçkitjen e vendit”, deklaroi ajo.

Koçeku theksoi se ndryshimi politik nuk mund të kufizohet vetëm te largimi i një personi. Sipas saj, ligji zgjedhor favorizon partitë e mëdha dhe pengon konkurrencën e forcave të reja politike.

Ajo kërkoi më shumë hapësirë për partitë e reja dhe për kandidatë që përfaqësojnë qytetarët përmes aftësive dhe integritetit, dhe jo përmes besnikërisë ndaj drejtuesve partiakë.

Në intervistë, Koçeku foli edhe për një mesazh që, sipas saj, kishte marrë nga kryeministri Edi Rama pas qëndrimeve të saj kritike. Ajo pretendoi se ishte paralajmëruar se do të mbetej e vetme dhe pa mbështetje, por tha se largimi nga partia e bëri të ndihej e lirë.

Pas një vizite në Bruksel dhe takimeve me përfaqësues të Parlamentit Europian, deputetja kërkoi që BE-ja të mos kufizohet vetëm në komunikimin me qeverinë dhe elitën politike.

“Europa duhet të jetë shumë më kritike ndaj qeverisë shqiptare. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të trajtohet vetëm si strategji gjeopolitike apo si procedurë burokratike”, u shpreh ajo.

Sipas Koçekut, institucionet europiane duhet të zhvillojnë më shumë dialog me qytetarët dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilët mbështesin integrimin në BE për shkak të vlerave të drejtësisë, transparencës dhe sundimit të ligjit.

E pyetur për ambiciet e saj të ardhshme politike, Koçeku tha se aktualisht synon të vijojë angazhimin si deputete e pavarur, duke shtuar se zhvillimet e ardhshme do të tregojnë rolin që mund të ketë në politikën shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related