Të gjithë ata që ushtrojnë aktivitetin si strukturë akomoduese dhe do të duan ta klasifikojnë atë sipas kategorisë përkatëse mund ta bëjnë këtë proces online. Një vendim i fundit i miratuar në qeveri këtë të enjte nënvizon se tashmë procesi do të kalojë përmes e-albania dhe se certifikata që do të lëshohet do të jetë me vulë elektronike. Gjithsesi kjo do të zerë vend vetëm pas ngritjes së sistemit të informacionit të menaxhimit të turizmit.
“Paraqitja e aplikimeve përmes portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kthimi i përgjigjeve për aplikimet nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, me vulë elektronike, hyn në fuqi pas ngritjes dhe funksionimit të plotë të Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Turizmit.
Deri në ngritjen dhe funksionimin e plotë të sistemit, paraqitja e aplikimeve, si dhe përgjigjet për aplikimet dërgohen sipas përcaktimeve në fuqi në kohën e paraqitjes së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë. I njëjti sanksionon se çfarë do të quhet aplikim ku sipas vendimit : Aplikim nga subjekti ose sipërmarrësi turistik”, është aplikimi on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” për klasifikim, riklasifikim, rinovim të vlerësimit të strukturës akomoduese, si dhe ndryshim të të dhënave në certifikatë.”
