Presidenti i PL-së, Ilir Meta, në një reagim nga qelia, është shprehur se pensionistët janë kategoria më e diskriminuar në vend. Në një postim në rrjetin e tij social zyrtar në FB, Meta shkruan se “në tre mandate askush nuk e pengoi Edi Ramën të rriste realisht pensionet”. Por, thekson se Rama, në 11 vite në pushtet, i vafëroi akoma më shumë, teksa theksoi se u jepet një lëmoshë.
Postimi i plotë:
Në tre mandate askush nuk e pengoi Edi Ramën të rriste realisht pensionet. Në 11 vite në pushtet ai i varfëroi gjithmonë edhe më shumë pensionistët, që sot janë kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë. Pilulat elektorale të indeksimit të pensionit në masën 4.1% dhe “bonusit të fundvitit” nuk janë gjë tjetër veçse tallje e pashpirt dhe poshtërimi më i madh që ai u bën 791 mijë pensionistëve të të gjitha kategorive.
Nuk ka tregues më të vërtetë se sa pensionet për të kuptuar batërdinë që Edi Rama dhe “Rilindja” kanë bërë me taksat e shqiptarëve, veçanërisht duke thelluar borxhin publik jo për të rritur mirëqenien e pensionistëve dhe të të gjithë qytetarëve por për të vijuar pagesat për PPP-të dhe koncensionet korruptive, pra për të vjedhur me inceneratorët, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë. Qeveria do të duhej të rriste nivelin e pensioneve të paktën 9.4% apo të barabartë me nivelin e inflacionit për artikujt ushqimorë për të mos lejuar përkeqësimin e kostos së jetesës dhe mbi këtë indeksim dhe një rritje reale për të përfituar dhe kjo shtresë nga rritja ekonomike në masën 3.4% për vitin 2023.
Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 9,546 lekë dhe në zonat rurale në 5,752 lekë për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike. Pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër se në vitin 2013 kur “Rilindja” erdhi në pushtet.
