Rënia e euros ndaj lekut: Turizmi, remitancat dhe flukset informale, faktorët kryesorë sipas ekspertëve

Data

Rënia e vazhdueshme e kursit të këmbimit Euro–Lek ka qenë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike të viteve të fundit. Gjatë muajit janar, një vrojtim me analistë të tregut financiar ka identifikuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë, duke i renditur sipas peshës së ndikimit të tyre.

Sipas ekspertëve, faktori më i rëndësishëm në dobësimin e euros është turizmi dhe rritja e eksporteve të shërbimeve, i vlerësuar me një ndikim mesatar 4.5 në një shkallë nga 1 në 5. Të ardhurat neto nga turizmi për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 2.1 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 19.6%. Në tërësi, sektori i shërbimeve solli rreth 3.5 miliardë euro të ardhura neto, duke forcuar ndjeshëm bilancin e pagesave.

Remitancat renditen si faktori i dytë për nga ndikimi, me një vlerësim mesatar 3.91. Për 9-mujorin e vitit 2025, dërgesat e emigrantëve arritën në 817 milionë euro, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Emigrimi i shtuar në vitet e fundit ka ndikuar në rritjen e flukseve valutore drejt vendit.

Ekspertët evidentojnë gjithashtu rolin e prurjeve informale dhe të paligjshme të valutës, të cilat vlerësohen përkatësisht me 3.83 dhe 3.58. Këto flukse kanë pasur historikisht një ndikim të ndjeshëm në kursin e këmbimit dhe perceptohen si faktorë që rrisin ofertën e euros në treg.

Një tjetër faktor me peshë të konsiderueshme janë investimet e huaja në pasuri të paluajtshme, të vlerësuara me një ndikim mesatar 3.66. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në prona arritën në 403 milionë euro, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky sektor përbën mbi 33% të totalit të investimeve të huaja.

Në renditjen e mëtejshme përfshihen bilanci tregtar, me një vlerësim mesatar 3.25, si dhe ulja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, me 2.83.

Nga ana tjetër, perceptimi i publikut ndryshon nga ai i ekspertëve. Në një sondazh të zhvilluar gjatë janarit dhe shkurtit, shumica e pjesëmarrësve e lidhin rënien e euros kryesisht me flukset e paligjshme dhe informale të valutës, të cilat morën përkatësisht 36% dhe 30% të përgjigjeve. Turizmi u rendit më pas me 13%, investimet në prona me 9% dhe remitancat me 5%.

Sipas statistikave zyrtare, euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët historik. Megjithatë, rënia e kursit gjatë vitit 2025 ishte më e ngadaltë krahasuar me vitet pararendëse, pjesërisht falë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, e cila për 9-mujorin e parë të vitit bleu mbi 825 milionë euro në tregun valutor.

Pa këto ndërhyrje, ekspertët vlerësojnë se rënia e euros ndaj lekut do të kishte qenë edhe më e thellë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related