Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën kombëtare që pritet të zhvillohet sot në kryeqytet.
Në njoftimin zyrtar, ambasada thekson se edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe të përshkallëzohet. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin zonat ku zhvillohet demonstrata dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë personale.
Protesta është planifikuar të mbahet sot, më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Autoritetet presin prani të shtuar të policisë, bllokim rrugësh dhe devijime të trafikut në zonat përreth.
Ambasada njofton gjithashtu se Policia e Shtetit ka paralajmëruar për mundësinë e bllokimit të disa kryqëzimeve kryesore në qendër të Tiranës. Personeli diplomatik amerikan është këshilluar të mos marrë pjesë dhe të qëndrojë larg demonstratës.
Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të monitorojnë mediat lokale, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të mbajnë një profil të ulët, duke shmangur grumbullimet e mëdha dhe duke pasur gjithmonë një plan emergjence.
