Relativizoi akuzat ndaj Ballukut dhe Karçanajt të AKSHI-t, BIRN: Raporti me drejtësinë e vendos kryeministrin Rama përballë rrezikut të izolimit

Data

Kryeministri Edi Rama e mbylli vitin me tone të ashpra ndaj drejtësisë së re, veçanërisht ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në një kohë kur zyrtarë të lartë të qeverisë së tij po përballen me akuza penale. Sipas analistëve, kalimi nga retorika politike në veprime konkrete kundër drejtësisë mund ta vendosë Ramën përballë pasojave serioze, përfshirë edhe sanksione ndërkombëtare.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama ironizoi dhe relativizoi akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa krahasoi SPAK-un me “Sigurimin” e diktaturës komuniste. Gjuha e përdorur prej tij u konsiderua e dykuptimtë dhe sinjalizuese për raportin e tij real me sistemin e drejtësisë.

Që prej miratimit të reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë në qendër të agjendës politike dhe një kusht kyç për integrimin evropian të Shqipërisë. Reforma është mbështetur fuqishëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është promovuar nga vetë Rama si një arritje madhore e qeverisjes së tij.

Megjithatë, mbrojtja publike e figurave të larta të qeverisë të përfshira në hetime për korrupsion përbën, sipas analistëve, një thyerje të premtimeve të mëhershme të kryeministrit se nuk do të ndërhynte në punën e drejtësisë. Testi vendimtar për raportin e qeverisë me SPAK-un, sipas vlerësimeve, mbetet qëndrimi i Ramës ndaj kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro.

Altin Gjeta, studiues i Shkencave Politike në Universitetin e Birminghamit, vlerëson se sulmet e Ramës janë kryesisht për konsum të brendshëm politik. Sipas tij, një sulm frontal ndaj drejtësisë do ta përballte kryeministrin me reagime të forta nga SHBA-të dhe BE-ja, të cilat nuk do të lejonin sabotimin e një reforme ku kanë investuar politikisht dhe financiarisht.

Ndërkohë, pedagogu Ermal Hasimja thekson se qeveria Rama ka humbur legjitimitetin moral për shkak të skandaleve të shumta të korrupsionit dhe se është mbajtur në pushtet përmes klientelizmit, përdorimit të administratës dhe aleancave me krimin e organizuar. Sipas tij, strategjia e re amerikane kundër drogës dhe krimit të organizuar e vendos drejtpërdrejt qeverinë shqiptare në konflikt me Uashingtonin.

Edhe Azmi Stringa, lektor i Financës, vlerëson se politika shqiptare ka tentuar në mënyrë të vazhdueshme të sabotojë drejtësinë, përmes asaj që ai e quan “vrasja e ngadaltë e SPAK-ut”. Kjo sjellje, sipas tij, ka sjellë distancim të Ramës nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët nuk e shohin më si një partner të besueshëm afatgjatë.

Sipas analistëve, kryeministri Rama ndodhet sot mes dy zgjedhjesh të vështira: ose të thellojë përplasjen me drejtësinë duke rrezikuar izolimin ndërkombëtar dhe rrëshqitjen drejt autoritarizmit, ose të heqë dorë nga aleancat problematike dhe të përballet me pasojat politike të një tërheqjeje të dhimbshme. Në këtë panoramë, sipas tyre, mungon ende një opozitë e fortë dhe e besueshme që të kanalizojë pakënaqësinë publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related