Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit të mbuluar nga reshjet e dëborës, me intensitet nga i ulët deri në mesatar. Reshjet janë shtrirë në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa zonat më të prekura raportohen Dardha, Voskopoja, Erseka dhe Qafa e Thanës.
Në Qafë Thanë po punohet me mjete borëpastruese për kriposjen e rrugës dhe garantimin e qarkullimit normal, ndërsa ndërhyrje të ngjashme po kryhen edhe në akset e tjera të qarkut Korçë.
Pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të dëborës dhe shiut, deri në këto momente nuk raportohen probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe as dëme materiale. Autoritetet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore.
