Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit I.D., i cili është arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I.D. ishte shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, si dhe “mbajtjes dhe shitjes së armëve luftarake dhe municioneve”, sipas legjislacionit penal gjerman.
Hetimet tregojnë se veprimtaria kriminale dyshohet të jetë ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme krahasuar me momentin e kryerjes së investimeve për blerjen e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se subjekti ka qenë i përfshirë në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, aktivitet që dyshohet se ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.
Analiza financiare e kryer nga prokuroria ka evidentuar një mospërputhje të theksuar mes të ardhurave të ligjshme të deklaruara nga I.D. dhe familjarët e tij dhe vlerës së investimeve dhe shpenzimeve të realizuara. Sipas prokurorisë, kjo diferencë nuk justifikohet me burime të ligjshme dhe krijon dyshime të forta se pasuritë janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Në këto kushte, prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive për të cilat subjekti dhe familjarët e tij ndodhen në pamundësi financiare për t’i justifikuar. Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi janë:
- Një pasuri e paluajtshme, lloji “arë”, me sipërfaqe 850 m², në Zall-Herr, Tiranë;
- Një njësi banimi me sipërfaqe bruto 98.8 m²;
- Dy poste parkimi, të ndërtuara sipas lejes së ndërtimit për objektin 1–2–9 kate plus një kat nën tokë, në zonën e “Bulevardit Blu”, Kamëz.
Prokuroria thekson se pasuritë dyshohet se përbëjnë produkt të veprimtarisë kriminale dhe kërkon që ato të kalojnë në favor të shtetit.
