Hetimet e fundit ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ekspozojnë lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor – duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kandidati i Partisë Socialiste për zonën e Shijakut, Jurgis Çyrbja mori përmes një bisede në aplikacionin SKY ECC premtimin e një bosi lokal të krimit se ai do t’i siguronte mijëra vota në zonën e tij elektorale.
“3 mijë do ti jap unë, maje men,” citohet t’i ketë shkruar atij Altin Hajri, pronar i një resorti luksoz në Shijak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe zhdukjen e një personi. “E kena blindu Gjepalen”.
Zbulimi i komunikimeve të SKY ECC solli arrestimin në tetor 2024 të Jurgis Çyrbjes, pas një dekade karriere të vrullshme si drejtues i administrates lokale dhe deputet për dy mandate i Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas të dhënave të hetimit të Prokurorisë së Posaçme, rasti Çyrbja përfaqëson shembullin tipik të lidhjeve të thella që ekzistojnë mes krimit të organizuar dhe politikës në Shqipëri si dhe rolin e kësaj simbioze në procesin zgjedhor dhe në fushën e zbatimit të ligjit.
