Pedagogia Eneida Bozhegu ka reaguar ashpër gjatë një tryeze me intelektualë të organizuar nga Ervin Salianji në Tiranë, duke e cilësuar vendimin e Kuvendit për çështjen “Balluku” si një goditje ndaj besimit te drejtësia.
Ajo kritikoi faktin që Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-ministres Belinda Balluku, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të pushtetit politik në atë gjyqësor.
Sipas Bozhegut, një vendim i tillë krijon një precedent të rrezikshëm për ndarjen e pushteteve dhe minon parimet bazë të një shteti ligjor.
“Pushteti politik iu kundërvu pushtetit gjyqësor, duke shqyrtuar dhe rrëzuar një kërkesë që i takon drejtësisë”, u shpreh ajo, duke theksuar se në një shtet demokratik akti më i lartë duhet të jetë përgjegjësia dhe dorëheqja.
Pedagogia ngriti shqetësime edhe për nivelin e ndërgjegjësimit politik të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke theksuar se mungesa e mendimit kritik ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e përfaqësimit.
Ajo theksoi se shpesh votuesit ndikohen nga interesa të momentit, si premtime për vende pune, ndërsa vendimmarrja në poste të rëndësishme nuk bazohet gjithmonë në meritë dhe përvojë.
Sipas saj, forcimi i mendimit kritik dhe roli i medias janë thelbësorë për përmirësimin e demokracisë dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.
