Kryeministrja italiane Giorgia Meloni komentoi në një intervistë për “Corriere della Sera”, takimin e shumëpërfolur midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky brenda Bazilikës së Shën Pjetrit para funeralit të Papa Françeskut.
Meloni theksoi se: “Unë besoj se ishte një moment veçanërisht pozitiv i cili, sipas asaj që më thanë të dy udhëheqësit, mund të ketë qenë një pikë kthese. Ndoshta ishte dhurata e fundit që na dha Papa Françesku.”
Teksa iu referua mundësisë së organizimit të një konference Bashkimi Evropian-Shtetet e Bashkuara në Itali, Kryeminstrja shtoi se “Unë besoj se Aleanca Atlantike duhet të forcohet. Jo vetëm ushtarakisht, por duke iu referuar kësaj pike, theksoj se është e drejtë që Evropa të kontribuojë më fuqishëm në sigurinë e saj, sepse ose mbrohemi vetëm ose nuk mund të besojmë se jemi të sigurt në një botë që po ndryshon me shpejtësi marramendëse.“
