Analisti Ergys Mërtiri, gjatë një takimi të organizuar nga ish-deputeti Ervin Salianji me intelektualë në Tiranë, ka bërë deklarata të forta për situatën politike në vend.
Sipas Mërtirit, skena politike shqiptare dominohet nga një përplasje e rreme mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Sali Berisha, të cilët, sipas tij, në thelb mbajnë njëri-tjetrin në pushtet për interesa të ndërsjella.
“Këtu nëse bie njëri, bien të dy. Ata e kanë kuptuar që duhet ta mbajnë njëri-tjetrin për të mbijetuar politikisht”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë situatë si një “dialektikë false” të krijuar për konsum publik.
Mërtiri argumentoi se, pavarësisht retorikës së fortë politike, palët bashkëndajnë përfitimet e pushtetit, duke e mbajtur sistemin të pandryshuar prej vitesh.
Ai theksoi se për herë të parë ekziston një mundësi reale për ndryshim, duke vënë në dukje rolin e SPAK, i cili sipas tij ka vënë në vështirësi sistemin politik.
“Ky është një shans i artë. Pa këtë institucion, ky pushtet nuk do të mund të rrëzohej, pasi kontrollon gjithçka”, deklaroi analisti.
Në përfundim, Mërtiri bëri thirrje për angazhim më të madh të të rinjve dhe krijimin e një platforme të re politike, duke e konsideruar këtë moment si vendimtar për ndryshimin e modelit që, sipas tij, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
