Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin portual jugor iranian Bandar Abbas, gjatë orëve të para të ditës së sotme, ndërsa raportime të tjera flasin për shpërthime apo zhurma të forta edhe në zona të ndryshme të vendit.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi kryesor ka ndodhur në një ndërtesë tetëkatëshe, ku katet e poshtme janë dëmtuar rëndë dhe dritaret janë thyer pothuajse në të gjithë godinën. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe një re të dendur tymi mbi zonën përreth.
Burime jozyrtare kanë hedhur pretendime se objektiv i mundshëm i incidentit mund të ketë qenë Alireza Tangsiri, komandant i Marinës së IRGC, por këto raportime janë mohuar kategorikisht nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, e cila i ka cilësuar si “plotësisht të pavërteta”.
Autoritetet vendase kanë dhënë versione të ndryshme për shkakun e shpërthimit. Disa burime e kanë atribuar incidentin një rrjedhjeje gazi, por raportime lokale theksojnë se ndërtesa në fjalë nuk ka qenë e pajisur me tubacione gazi, çka ka shtuar dyshimet mbi shkaqet reale të ngjarjes.
Ndërkohë, raportohet se tinguj shpërthimesh janë dëgjuar edhe në qytete të tjera iraniane, përfshirë Ahvazin, pranë kufirit me Irakun. Sipas informacioneve të deritanishme, të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa bilanci i të plagosurve mbetet ende i paqartë.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të shtuar, teksa IRGC ka njoftuar zhvillimin e një stërvitjeje detare në ujërat e Gjirit Persik gjatë ditëve në vijim. Ky njoftim ka nxitur reagimin e CENTCOM, e cila u ka bërë thirrje forcave iraniane të shmangin veprimet provokuese në det.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale në provincën e Teheranit kanë mohuar raportet për incidente sigurie apo ushtarake në zonat Parand dhe Robat Karim, duke sqaruar se tymi i parë atje ishte pasojë e një zjarri në kallamishtet e thata përgjatë lumit Shour.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar përfundimtar mbi shkaqet e shpërthimeve.
