Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të shtune në Bulqizë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në ambientet e një subjekti privat.
Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte i punësuar si roje dhe dyshohet se është rrëzuar në një stog kromi. Nga të dhënat e para, mendohet se ai mund të ketë ndërruar jetë një ditë më parë, ndërsa trupi i pajetë është konstatuar vetëm paraditen e sotme, në vendin ku qëndronte zakonisht gjatë shërbimit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të plota të ngjarjes. Ende nuk dihen shkaqet zyrtare të vdekjes, ndërsa dyshimet paraprake flasin për një problem shëndetësor apo aksident në vendin e punës.
Autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar në vijim, pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe ekspertizës mjeko-ligjore.
