Një raport monitorimi i organizatës “Together for Life” nxjerr në pah nivelin më të ulët të buxhetimit për shërbimet parësore, rritjen e shpenzimeve personale të qytetarëve për problematikat shëndetësore si edhe mungesë transparence lidhur me menaxhimin e fondeve publike të këtij sektori.
Organizata “Together for Life” prezantoi të mërkurën në një tryezë të rrumbullakët gjetjet e raportit të monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë për vitet 2021-2030.
Ky raport evidenton rënien e buxhetit për shërbimin shëndetësor parësor, rritje në nivel rekord të shpenzimeve nga xhepi të qytetarëvë shqiptarë për shëndetin, mungesë investimesh për shëndetin mendor të popullatës, si edhe mungesë transparence lidhur me zbatimin e kontratave koncesionare.
“Buxheti për shëndetësinë përbën vetëm 2.78% të GDP-së në Shqipëri. Asnjë vend në rajon nuk e ka këtë buxhet kaq të ulët,” tha Eglantina Bardhi, drejtore ekzekutive e Together for Life.
Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021-2030 bazohet në arritjet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2016-2020 dhe siguron vazhdimësinë e punës së kryer më parë, adresimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të sistemit shëndetësor. Pavarësisht këtyre përpjekjeve në letër për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, gjetjet tregojnë se në realitet kjo strategji lë për të dëshiruar.
