Policia e Tiranës ka arrestuar një 34-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe mashtronte qytetarët duke u prezantuar si agjent imobiliar, ndërkohë që lëvizte i armatosur.
Në pranga ka rënë shtetasi A. G., 34 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të një shtetaseje, e cila deklaroi se ishte mashtruar nga një person që ishte prezantuar si agjent imobiliar dhe i kishte marrë një shumë parash me premtimin për t’i gjetur një banesë me qira.
Gjatë operacionit policor të koduar “Implikimi”, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e 34-vjeçarit në rrugën “Kastriotët”.
Nga kontrolli i automjetit me të cilin ai lëvizte, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë sportive, e cila mbahej pa leje. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së tij u zbulua edhe një palë targa automjeti, të cilat nga verifikimet rezultuan të vjedhura.
Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se A. G. ishte aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”, masë që ai e kishte shkelur duke dalë dhe duke kryer veprimtari kriminale.
Arma sportive dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
