Rama: “Zjarret nuk kanë ilaç, duhet të reagojmë ndryshe” – Qeveria fut teknologjinë e pyllëzimit me dron, synon rritjen e kapaciteteve mbjellëse

Data

Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Për ty natyrë”, tha se Shqipëria përballet çdo vit e më shumë me sfidën e zjarreve, ndërsa theksoi se askush në botë nuk ka gjetur ende një “ilaç” për t’i shmangur ato. Ai nënvizoi se qeveria synon rritjen e kapaciteteve të pyllëzimit, duke futur teknologjinë e dronëve për mbjellje më të shpejtë dhe më efikase.

Rama deklaroi se fushat e dëmtuara nga zjarret do të trajtohen me investime specifike dhe se një pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm është parashikuar për projektet e reja të pyllëzimit teknologjik.

“Askush nuk ka gjetur ilaç për zjarret që bëjnë dëme kolosale. Nuk mund të vazhdojmë njësoj. Duhet të investojmë në zonat e kthyera në plagë nga zjarret dhe të rrisim kapacitetet mbjellëse përmes teknologjisë”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi se pyllëzimi me dron do të jetë pjesë e strategjisë së re kombëtare, duke sjellë “saktësi dhe efikasitet” në punën e terrenit. Qeveria parashikon të zgjerojë financimet në vitet në vijim për të rritur intensitetin e mbjelljeve.

Rama: Jemi ende shumë mbrapa në standardet mjedisore të BE-së

Kreu i qeverisë pranoi se megjithëse Shqipëria ka bërë përmirësime të ndjeshme në menaxhimin e mjedisit dhe zonave të mbrojtura, vendi është ende larg standardeve që kërkojnë negociatat me Bashkimin Europian.

“Standardet janë maksimale. Edhe pse kemi bërë përmirësime të jashtëzakonshme, jemi ende shumë mbrapa në raport me objektivin ku duhet të mbërrijmë”, tha ai.

Rama shtoi se presioni i grupeve mjedisore është i nevojshëm dhe i shëndetshëm për shoqërinë dhe për qeverinë, duke pranuar se shpesh zëri i tyre krijon tension, por është “i domosdoshëm”.

Në përfundim, kryeministri theksoi se mbrojtja e mjedisit, pyjeve dhe zonave të mbrojtura do të jetë një fokus shumë më i madh i qeverisë në vitet e ardhshme, duke shënuar një drejtim të ri në politikat mjedisore të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related