Kryeministri Edi Rama ka uruar Klodian Brahon për zgjedhjen e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, të cilin e vlerësoi për rolin kyç në konsolidimin dhe forcimin e institucionit.
Në deklaratën e tij, Rama theksoi se drejtuesi i ri do të ketë një rol vendimtar në trevjeçarin e fundit të ciklit nëntëvjeçar të SPAK, me objektiv ngritjen e mëtejshme të nivelit profesional të institucionit, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Altin Dumanit, duke theksuar se nën drejtimin e tij SPAK u shndërrua nga një ide e kontestuar në një realitet konkret dhe historik të Reformës në Drejtësi, duke dëshmuar se drejtësia mund të veprojë pa dallime politike.
Duke iu referuar drejtuesit të ri, Rama nënvizoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të konsiderohet ende e përmbushur plotësisht me sukses. Ai theksoi se kjo betejë nuk duhet të maskohet me statistika formale, veçanërisht përmes përdorimit të nenit të shpërdorimit të detyrës, për të cilin, sipas tij, edhe Bashkimi Europian ka shprehur shqetësime dhe ka nxjerrë direktiva të reja.
Po ashtu, Rama kritikoi shfaqjen e elementëve mediatikë dhe publikimin e transkripteve hetimore në shkelje të ligjit, duke rikujtuar se edhe në këtë aspekt ekzistojnë standarde strikte ligjore europiane.
“Kampi i drejtësisë ka nevojë për vetëkritikë, profesionalizëm dhe maturi. Kam besim se eksperienca e gjashtë viteve dhe modestia për të reflektuar mbi punën e deritanishme do ta çojnë SPAK-un aty ku duhet të jetë tre vjet nga sot”, u shpreh Rama.
Kryeministri përfundoi duke shprehur besimin se drejtimi i Klodian Brahos do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të Prokurorisë së Posaçme dhe në rritjen e besimit publik ndaj sistemit të drejtësisë.
