Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, duke ndarë në rrjetet sociale foto nga vizita e tij një ditë më parë në Prishtinë dhe takimet me krerët e shtetit.
Në mesazhin e tij, Rama shprehu urimet për shtetin e Kosovës, por edhe keqardhjen që nuk do të jetë i pranishëm në manifestimin popullor të solidaritetit për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkruan Rama.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke u shpallur shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Me rastin e 18-vjetorit, institucionet e vendit kanë organizuar një sërë aktivitetesh zyrtare dhe përkujtimore.
Axhenda e aktiviteteve
Dita nisi me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës para objektit të Qeverisë, pasuar nga mbledhja solemne e Qeverisë.
Janë parashikuar homazhe në disa pika simbolike, përfshirë Monumentin e të Pagjeturve, Pllakën Përkujtimore të Fëmijëve të Vrarë, varrin e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe varrin e veprimtarit Adem Demaçi.
Aktivitetet vijojnë me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, seancë solemne të Kuvendit, parakalimin e Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si dhe pritje shtetërore dhe koncert solemn të Filharmonisë së Kosovës.
