Shkarkimet në kaskadën e Drinit përmbytin sërish Obotin, rruga nën 50 cm ujë

Data

Reshjet e dendura dhe shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin kanë sjellë rritje të niveleve të ujit në qarkun e Shkodrës, duke përmbytur sërish zonën e Obotit.

Sipas njoftimit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, prezenca e ujit është konstatuar kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente.

Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është mbuluar nga 40 deri në 50 centimetra ujë, duke e bërë të vështirë kalimin për mjetet e vogla.

Shkarkime të kontrolluara nga KESH

Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka bërë të ditur se, pas monitorimit të prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Si pasojë, është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.

Në terren ndodhen 10 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete të kalueshmërisë së lartë, të gatshëm për çdo emergjencë.

Probleme edhe në zonat malore

Situata paraqitet e vështirë edhe në akset malore:

  • Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar për shkak të orteqeve.
  • Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra dhe qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Ndërkohë, bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportojnë problematika. Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës në terren.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related