“Smart City” nën lupën e BE-së, alarm për privatësinë dhe prokurimet publike

Data

Brukseli i ka tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare lidhur me projektin “Smart City”, duke theksuar se trajtimi i të dhënave personale dhe procedurat e prokurimit duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projekti, i cili u prezantua si një hap drejt modernizimit të sigurisë dhe menaxhimit urban, parashikon instalimin e mijëra kamerave inteligjente, përdorimin e inteligjencës artificiale për analizimin e të dhënave dhe ngritjen e një qendre të avancuar kontrolli. Megjithatë, ndërsa zbatimi i tij avancon, shqetësimet për transparencën, mbrojtjen e privatësisë dhe koston reale të investimit mbeten të hapura.

Sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, çështjet e mbrojtjes së të dhënave personale në vendet kandidate monitorohen në kuadër të procesit të integrimit. Shqipëria pritet të zbatojë legjislacionin e ri për mbrojtjen e të dhënave, të përafruar me acquis të BE-së, duke garantuar respektimin e jetës private dhe sigurinë e informacionit të qytetarëve. Në lidhje me prokurimet, Komisioni thekson se përgjegjësia për vlerësimin e kontratave konkrete i takon autoriteteve shqiptare, të cilat duhet të sigurojnë përputhshmëri me standardet evropiane.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit ka mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke deklaruar se ndërhyrja institucionale mund të bëhet vetëm mbi bazën e ankesave konkrete ose në rastet kur evidentohen shkelje të qarta të të drejtave të njeriut. Sipas këtij institucioni, mbrojtja e të dhënave personale është e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji, ndërsa autoritetet publike janë të detyruara të respektojnë parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë gjatë përpunimit të tyre.

Projekti “Smart City” nisi në prill të vitit 2024 me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi me një kompani ndërkombëtare të teknologjisë, ndërsa më pas u shpall projekt me rëndësi kombëtare. Fillimisht i vlerësuar rreth 60 milionë dollarë, buxheti i tij është rritur ndjeshëm dhe aktualisht arrin në rreth 140 milionë dollarë, të financuara përmes huamarrjes.

Paketa e investimit përfshin mijëra kamera monitorimi në qytetet kryesore, kamera trupore për punonjësit e policisë, radarë inteligjentë dhe sisteme të avancuara softuerike për analizimin e të dhënave. Një pjesë e konsiderueshme e kostos shkon për licenca softuerësh, pajisje teknologjike, shërbime profesionale dhe mirëmbajtje afatmesme.

Ndërsa autoritetet e paraqesin “Smart City” si një projekt modernizues, reagimet nga Brukseli tregojnë se mbetet thelbësore garantimi i transparencës, respektimi i privatësisë dhe zbatimi rigoroz i standardeve evropiane, në mënyrë që teknologjia të mos kthehet në burim shqetësimi për të drejtat e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related