Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar dje në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë. Gjykata e Breshias ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 10 nga të cilat janë ekzekutuar në Breshia. Ndërkohë, me urdhër të SPAK në Tiranë është arrestuar oficeri i Antiterrorit, i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës. Ai dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën tek Forcat Operacionale ka dekonspiruar hetimet. Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi dje se nga 24 persona, për të cilët është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane – është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri. Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lejimin e kontrolleve dhe të vëndeve për 21 persona nën hetim, kontrolle të cilat janë kryer, sot më datë 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Njoftimi i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar fazën kryesore të hetimeve për procedimet penale nr. 49/3 (viti 2023, ish nr.49 viti 2019) dhe nr. 29 viti 2024, që lidhen me veprimtari të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimit të parave, korrupsionit dhe veprave penale* të parashikuara nga disa nene të Kodit Penal. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lejimin e kontrolleve dhe të vëndeve për 21 persona nën hetim, kontrolle të cilat janë kryer, sot më datë 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Procedimet penale të mësipërme janë hetuar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili ka pasur qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
