Rama takim me mjekët në QSUT: Skandali i Onkologjikut na uli kokën të gjithëve, por opinioni ushqehet me negativitet – shumica e pacientëve janë të kënaqur

Data

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një takim me mjekët dhe stafin shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u ndal te situata në sistemin shëndetësor dhe veçanërisht te rasti i bujshëm i spitalit Onkologjik.

Rama pranoi se skandali në Onkologjik ishte një ngjarje e rëndë, e cila, sipas tij, “na uli kokën të gjithëve”, por theksoi se bëhet fjalë për një rast të veçuar, me të cilin është marrë drejtësia, dhe që nuk përfaqëson realitetin e përgjithshëm të shërbimit shëndetësor në vend.

Sipas kryeministrit, opinioni publik ushqehet kryesisht me lajme negative, ndërsa puna e përditshme dhe rezultatet pozitive të sistemit shëndetësor mbeten shpesh në hije.

“E mira nuk bën lajm, e keqja bën lajm. Ky është një rregull kudo. Mjafton një operacion i dështuar që të vihet në pikëpyetje e gjithë puna e mijëra mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se çdo vit realizohen dhjetëra mijëra operacione dhe ndërhyrje të suksesshme në QSUT dhe në spitalet publike, ndërsa rastet problematike, sado të rënda, nuk duhet të njollosin të gjithë trupën e mjekëve.

Rama shtoi se nga takimet me pacientë rezulton se shumica e tyre janë të kënaqur nga shërbimi i marrë, si në Onkologjik ashtu edhe në QSUT, dhe se mirënjohja e pacientëve është dëshmi e punës së bërë.

“Pjesa dërrmuese e atyre që kanë marrë shërbim spitalor e kujtojnë për mirë, jo për keq. Ka pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju janë mirënjohës. Detyra jonë është të adresojmë problemet dhe të ngremë vazhdimisht nivelin e shërbimit, sepse e mira nuk ka fund”, tha kryeministri.

Në përfundim, Rama nënvizoi se përmirësimi i sistemit shëndetësor është një proces i vazhdueshëm dhe se rastet negative duhet të shërbejnë për reflektim dhe korrigjim, jo për të hedhur hije mbi punën e shumicës së mjekëve dhe infermierëve që, sipas tij, punojnë me përkushtim çdo ditë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related