74 milionë euro për “Tigrat” pa prodhim energjie – Eksperti Elezi: Vjedhje e hapur, përgjegjëse Balluku, çështja të hetohet nga Prokuroria

Data

Në vetëm dy vite janë paguar 74 milionë euro për termocentralet lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, pa prodhuar asnjë kilovat energji. Sipas ekspertit të energjisë Eduart Elezi, kjo situatë përbën abuzim të rëndë financiar dhe duhet të jetë objekt hetimi penal.

Në një prononcim për mediat, Elezi akuzoi drejtpërdrejt zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, duke theksuar se keqmenaxhimi dhe vendimmarrjet e saj kanë rënduar drejtpërdrejt mbi faturat e qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, kostoja e qirasë dhe mirëmbajtjes së dy “Tigrave” për dy vite arrin 74 milionë euro, ndërsa sjellja e tyre në Shqipëri ka kushtuar edhe 15 milionë euro të tjera. Ndërkohë, kapaciteti maksimal i prodhimit është vetëm 110 MW, me një kosto prej 60–70 lekësh/kWh, shumë më e lartë se çdo alternativë tjetër në treg.

“Janë 74 milionë euro të shpenzuara pa prodhuar asgjë. Kjo është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve dhe duhet patjetër të hetohet nga Prokuroria. Përgjegjësia është e ministres Balluku”, u shpreh Elezi.

Eksperti theksoi se çmimi i energjisë për familjarët duhej të ishte ndjeshëm më i ulët, pasi energjia e prodhuar në vend ka kosto shumë të ulët. Sipas tij, nëse energjia do të merrej drejtpërdrejt nga KESH, fatura për familjarët do të ishte rreth 7–7.5 lekë/kWh, ndërsa sot qytetarët paguajnë shumë më tepër.

Elezi kritikoi edhe konsulencat me miliona euro, mungesën e investimeve reale dhe mosliberalizimin e tregut, duke theksuar se kjo ka krijuar monopol dhe korrupsion. Ai akuzoi gjithashtu për tendera fiktivë, eksport energjie me çmime të ulëta dhe import me çmime të pajustifikuara, duke dëmtuar rëndë interesin publik.

Në përfundim, Elezi paralajmëroi se kostot e keqmenaxhimit po shkarkohen te familjarët dhe bizneset, ndërsa çmimet e energjisë në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në rajon dhe në Bashkimin Europian, një situatë që kërkon ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi ligjore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related