Pas hetimeve të SPAK dhe akuzave për shkelje të barazisë në tendera, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është përfshirë nga ndryshime të forta në nivelet drejtuese, duke prekur dy nga institucionet më të rëndësishme të sektorit: Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe KESH-in.
Gentian Gjyli është larguar nga drejtimi i ARRSH-së. Ai ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi është marrë i penduar nga SPAK në kuadër të hetimeve për tendera problematikë. Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli, i cili më parë ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në KESH. Në krye të këtij institucioni është emëruar Viola Haxhiademi, e cila zëvendëson Erald Elezin. Edhe Elezi ndodhet në “arrest shtëpie”, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Haxhiademi ka një karrierë të gjatë brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ka shërbyer si drejtoreshë kabineti dhe më pas si Sekretare e Përgjithshme që prej vitit 2019.
Paralelisht me këto lëvizje, nga detyra është shkarkuar edhe një tjetër zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu, duke thelluar më tej goditjen në strukturat drejtuese të ministrisë.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve, drejtuesit e rinj të ARRSH dhe KESH mbeten nën varësinë direkte të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila vetë është në qendër të akuzave të SPAK. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin e saj.
Sipas SPAK, ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në dy projekte me vlerë totale rreth 210 milionë euro: Tuneli i Llogarasë dhe loti 4 i Unazës së Madhe. Ai ka pasur rol kyç edhe në ARRSH, si drejtues i planifikimit strategjik dhe si anëtar i komisioneve të vlerësimit të ofertave.
Edhe Gentian Gjyli akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij lidhet konkretisht me tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi menaxhimin e projekteve madhore infrastrukturore dhe kanë vënë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në qendër të një prej krizave më të rënda institucionale të viteve të fundit.
