Rama reagon ndaj raportimeve ndërkombëtare për protestat: “Pasqyroni realitetin, jo histerinë dixhitale”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbrëmjen e së shtunës ndaj mënyrës se si protestat e ditëve të fundit në Shqipëri janë pasqyruar nga media ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, duke kërkuar që debati publik të mbështetet mbi fakte dhe jo mbi atë që ai e cilësoi si “histeri dixhitale”.

Përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu drejtua mediave ndërkombëtare, platformave dixhitale dhe krijuesve të përmbajtjes, duke vënë në diskutim përmasat me të cilat janë paraqitur protestat e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Sipas Ramës, pjesëmarrja në protestën e së shtunës ishte rreth 2 mijë persona, ndërsa në ditët me pjesëmarrjen më të lartë numri i protestuesve nuk ka kaluar 8 mijë qytetarë.

“Në një moment kur emocionet të jenë qetësuar, bota demokratike duhet të analizojë se si u krijua një hendek kaq i madh mes realitetit në terren dhe mënyrës se si ai u paraqit në hapësirën publike”, shkroi kryeministri.

Rama ngriti një sërë pyetjesh mbi mënyrën se si një protestë lokale u shndërrua në lajm ndërkombëtar, duke argumentuar se perceptimi publik është ndikuar nga rrjetet sociale, profile anonime dhe përmbajtje të pakonfirmuara.

Në reagimin e tij, kryeministri u ndal veçanërisht te projekti i diskutuar në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar, nuk është dhënë leje ndërtimi dhe nuk ka nisur asnjë proces ndërtimi.

Sipas tij, ajo që ekziston është një vizion zhvillimi që synon të kombinojë investimet turistike me përmirësimin e treguesve mjedisorë dhe biodiversitetit, një proces për të cilin, sipas Ramës, janë angazhuar ekspertë ndërkombëtarë të fushave të ndryshme.

Kreu i qeverisë argumentoi se çdo vlerësim për ndikimin e mundshëm të projektit duhet të bëhet mbi bazën e studimeve shkencore, konsultimeve publike dhe procedurave ligjore, duke kundërshtuar atë që ai e cilësoi si paraqitje të parakohshme të projektit si një “katastrofë mjedisore”.

Në fund të reagimit, Rama ngriti shqetësime edhe për atë që e konsideroi amplifikim artificial të debatit në rrjetet sociale, duke përmendur profile të krijuara rishtazi, llogari anonime dhe forma të koordinuara komunikimi që, sipas tij, ngjajnë me mekanizmat e luftës hibride të informacionit.

Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur protestat kundër projektit të Zvërnecit dhe kundër qeverisë kanë hyrë në javën e dytë, duke gjeneruar debat të gjerë publik brenda dhe jashtë vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related