Kryeministri Edi Rama është pyetur në Bruksel për protestat që po zhvillohen në Tiranë, gjatë konferencës së nëntë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Në përgjigjen e tij, Rama tha se në hapësirën e sotme të informacionit e vërteta po zë gjithnjë e më pak vend, ndërsa gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat dhe informacionet e rreme po përhapen më lehtë.
Kreu i qeverisë theksoi se në Bruksel ka institucione dhe qëndrime të ndryshme, por shtoi se qeveria shqiptare i kushton rëndësi të veçantë vlerësimeve të Komisionit Evropian.
“Kur thua Bruksel, është një fjalë shumë komplekse. Ka shumë organizma dhe shumë zëra. Për ne, të gjithë zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një zë që e marrim shumë seriozisht dhe ai është zëri i Komisionit”, deklaroi Rama.
Sipas tij, Komisioni Evropian mbetet institucioni më i mirëinformuar dhe i mbështetur te faktet në vlerësimet që bën për Shqipërinë.
“Në këtë botë informacioni dhe sistemesh kaotike, ku e vërteta gjen gjithmonë e më pak hapësirë, ndërsa gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat dhe të pavërtetat gjejnë gjithmonë e më shumë vend, Komisioni mbetet i fortë”, u shpreh kryeministri.
Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për kërkesat e protestuesve, por e përqendroi reagimin te mënyra se si, sipas tij, përçohen dhe interpretohen informacionet për zhvillimet politike në Shqipëri.
