Gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, një qytetar ka kritikuar fondin prej 4.2 milionë eurosh të miratuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e koncertit të Kanye West.
Në fjalën e tij, protestuesi pretendoi se kjo shumë mund të ishte përdorur për përmirësimin e kushteve në spitale dhe për blerjen e pajisjeve mjekësore.
“Me paratë që i janë dhënë amerikanit mund të bliheshin 47 ambulanca. Me 4 milionë euro mund të bliheshin deri në 8 mijë krevate dhe 5 mijë kondicionerë”, deklaroi ai.
Sipas protestuesit, investimi i këtyre fondeve në sistemin shëndetësor do të përmirësonte kushtet për pacientët dhe personelin mjekësor.
“Pacientët tanë do të ishin më komodë në spitalet tona. Por këto pajisje do t’i shohim vetëm në ëndërr, nëse nuk largohet ky kryeministër”, u shpreh ai.
Deklaratat u bënë në kuadër të protestave kundër qeverisë, ku pjesëmarrësit kanë ngritur kritika për mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
