Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, është kthyer në një nga figurat më të përfolura të drejtësisë shqiptare. Hetimet që ai po drejton për aferat e mëdha të korrupsionit , nga koncesioni i rrugës Thumanë–Kashar te tuneli i Llogarasë, deri te dosja e inceneratorit të Tiranës kanë tronditur themelet e pushtetit dhe botës së biznesit. Burime konfirmojnë se Prençit i është shtuar mbrojtja me gjashtë truproja, pas sinjaleve për kërcënime serioze që lidhen me dosjet e tij. Në qendër të hetimeve ndodhen figura të fuqishme si ministrja Belinda Balluku, ish-drejtues të Autoritetit Rrugor, por edhe biznesmenë me lidhje të forta politike. Ndërsa SPAK po hyn në fazën vendimtare të komunikimit të akuzave, rreth Prençit po krijohet një atmosferë presionesh dhe sulmesh mediatike.
Alarmi i Dumanit
Vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, ngriti alarmin dje në mes të Kuvendit se ndaj Prokurorisë së Posaçme po ushtrohen presione të forta. “Ndaj SPAK vijon një presion i jashtëm nga aktorë politikë, mediatik dhe të krimit të organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve. Ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK”, theksoi Dumani. Kreu i SPAK iu përgjigj gjithashtu pyetjes së opozitës se Dritan Prençi është kërcënuar për shkak të dosjes që ka në duar për ministren Belinda Balluku. Dumani u shpreh se prokurori Prençi dhe të gjithë kanë mbështetjen e tij si drejtues i SPAK, ndërsa theksoi se ai ka gjithë suportin për hetimin e çdo rasti. “Prokurori Prençi dhe të gjithë kanë mbështetjen time si kryetar i SPAK. Deri tani nuk më ka paraqitur ndonjë problem për ndonjë kërcënim ndaj tij. Prençi ka gjithë mbështetjen time në hetimin e çdo çështjeje që ka në ndjekje. Ashtu siç thashë, jo vetëm ai por gjithë prokurorët e SPAK. Në asnjë rast nuk kam bllokuar hetime, por jam munduar të krijoj një ambient ku prokurorët ndihen të lirë për të ushtruar ndjekjen penale”, tha Dumani.
