Në dosjen voluminoze prej 500 faqesh të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, përveç katër të pandehurve kryesorë, në krye me Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, përmenden edhe emra të tjerë të cilët po hetohen dhe në fund Prokuroria e Posaçme mund të ngrejë akuza për ta. SPAK ka futur në rrethin e kuq Argita Malltezin, e cila del në dosje se ka fshehur pasurinë dhe nuk e ka deklaruar në ILDKPI. Vajza e Sali Berishës sipas ligjit rrezikon deri në tre vite burg.
Çfarë thotë ligji?
“Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja Fq. 2 ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
Çfarë tregojnë hetimet e SPAK?
Në dosjen e SPAK, janë evidentuar një sërë shpenzimesh që Jamarbër Malltezi ka bërë jashtë vendit, kryesisht në blerje apartamentesh, për të cilat Prokuroria thotë se nuk gjenden gjurmë në deklaratat e pasurive. Detyrimi për t’i deklaruar këto transaksione, sipas SPAK, ka qenë i Argita Malltezit, si person i lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha. Shpenzimet e listuara nga SPAK, lidhen me blerjen e një apartamenti në Budapest, në vitin 2019, për shumën totale të 163 mijë eurove. Pagesat për këtë apartament janë bërë përmes bankës, të ndara në 4 këste në vlera të ndryshme. Po ashtu nga llogaria në euro e Jamarbër Malltezit gjatë vitit 2019 janë evidentuar 16 transferta dalëse për në Gjermani, në shuma kryesisht të vogla. Dy apartamentet e tjera të cilat përmenden në dosje janë blerë në Belgjikë, dhe në Roterdam në vitin 2021.
Apartamenti në Roterdam, është blerë për vajzën në shumën e 320 mijë euro, ndërsa apartamenti në Belgjikë është blerë për shumën e 450 mijë eurove. Desara Malltezi rezulton të jetë blerësja, ndërsa paratë ishin dërguar përmes bankës nga babai i saj. Vetë SPAK thotë se të gjitha pagesat janë bërë përmes bankës, dhe kanë pasur dokumentacion justifikues për burimin e tyre.
“Vlen për t’u theksuar se, shtetasja Argita Malltezi e cila është e vetmja nga familja Malltezi që bën deklarimin e pasurisë në respektim të ligjit nr 9049/2003 (bashkëshorti i saj ka deklaruar vetëm me periudha te caktuara si person i lidhur me te atin e vet), nuk deklaron të ardhurat, shpenzimet apo pasuritë e bashkëshortit dhe as pjesëmarrjen e tij si ortak në shoqërinë Homeplan sh.p.k., të cilat sipas K.Familjes, i kanë në bashkëpronësi. Kjo bën që të humbasin gjurmët e të ardhurave të vërteta të familjes Malltezi apo shpenzimet e tyre reale, qoftë për pasuritë (blerje, mobilim, rikonstruksione) ashtu edhe për fëmijët e tyre”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
