Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të grupit parlamentar socialist, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik drejt integrimit në BE, por paralelisht adresoi kritika të forta ndaj disa prokurorëve.
Sipas tij, ka nisur një “lëvizje prokurorësh” që janë futur në garë për mandatin e radhës në SPAK, duke prerë – siç u shpreh ai – “fletë-arreste me tufa”, që në disa raste, sipas Ramës, nuk përbëjnë fare çështje penale ose mund të hetohen në gjendje të lirë.
Rama përmendi rastin e Durrësit, ku tha se janë prerë dhjetëra masa sigurie, duke përfshirë edhe një punonjëse që, sipas tij, është përballur me sëmundje të rëndë dhe ka një foshnjë 2-muajshe. Ai solli gjithashtu si shembull një rast ku një ndërtues pa leje ka kallëzuar shtetin, ndërsa prokuroria ka hapur çështje penale ndaj punonjësve që vendosën një agjenci shtetërore në godinën e konfiskuar.
“Shqipëria në BE nuk është një tjetër etapë zhvillimi, është histori”, u shpreh Rama, duke theksuar se mazhoranca duhet të rrisë përqendrimin dhe disiplinën për të arritur objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030.
Ai shtoi se komentet e tij nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi, por reflektim mbi situatën aktuale.
