Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga protesta e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë, Policia e Shtetit ka dorëzuar në selinë e Partisë Demokratike shkresën informuese lidhur me organizimin e tubimit.
Protesta është njoftuar të mbahet të enjten, më 12 mars, në orën 10:00 përpara Kuvendit, në të njëjtën kohë kur pritet të nisë edhe seanca plenare.
Ndryshe nga protestat e fundit, këtë herë Policia e Shtetit ka marrë përsipër organizimin e protestës, pas njoftimit zyrtar që Partia Demokratike i ka dërguar autoriteteve përmes deputetit Klevis Balliu.
Protesta pritet të zhvillohet në të njëjtën ditë kur në Kuvend mazhoranca pritet të rrëzojë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Sipas rendit të ditës të publikuar nga Kuvendi, kjo çështje do të jetë pika e parë e diskutimit në seancën plenare.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka bërë thirrje për mobilizim kombëtar, ndërsa kryetari i saj Sali Berisha u ka kërkuar mbështetësve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar përpara Parlamentit.
