Rama kritikon prokurorët: “Kanë nisur garën për mandatin e radhës në SPAK”

Data

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria në BE është histori”, por një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi edhe sistemit të drejtësisë, duke artikuluar kritika ndaj disa prokurorëve.

Sipas Ramës, ka nisur një “lëvizje prokurorësh” që, sipas tij, po veprojnë në funksion të garës për mandatin e ardhshëm në SPAK, duke prerë – siç u shpreh ai – “fletë-arreste me tufa”.

Ai përmendi raste që i konsideroi disproporcionale, duke thënë se në disa situata personat mund të hetoheshin në gjendje të lirë. Rama përmendi edhe një rast në Durrës, ku sipas tij janë ndërmarrë masa të tepruara, si dhe një çështje që lidhet me konfiskimin e një ndërtimi pa leje dhe kallëzimin penal ndaj punonjësve të shtetit.

Kryeministri theksoi se komentet e tij nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi, por një reflektim mbi mënyrën se si po zhvillohen disa procese hetimore.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje deputetëve socialistë për më shumë përqendrim dhe unitet, duke e cilësuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 si objektivin kryesor politik.

“Shqipëria në BE nuk është një etapë tjetër zhvillimi, është histori”, u shpreh Rama, duke theksuar se ky moment kërkon disiplinë dhe fokus maksimal nga mazhoranca.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related